Këshilli vlerësues i aktakuzës ka miratuar në tërësi aktakuzën kundër kardiokirurgut Zhan Mitrev dhe spitalit të tij privat dhe seanca e parë gjyqësore është caktuar më 28 shkurt.
“Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, duke vepruar në bazë të vlerësimit të aktakuzës kundër një personi fizik dhe institucionit privat shëndetësor, lidhur me kumtesën e PTHP Shkup: https://jorm.gov.mk/podneseno. -obvinenie-za-izmama-vo- privatna-zdravstvena-ustanova/ duke vlerësuar të gjitha faktet dhe argumentet e parashtruara të palëve mori vendim në të cilën aktin e miratoi në tërësi. Pas miratimit të aktakuzës, është formuar edhe lëndë penale juridike me nr. 349/23 që sipas sistemit AKMIS i është dhënë gjyqtarit për procedurë të mëtutjeshme dhe është caktuar datë për diskutimin kryesor më 28.02.2023 në orën 09:30 nga ku do të dërgohen ftesa deri te palët”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore Penale Shkup.
Prokuroria themelore publike – Shkup më 10 janar ka ngritur aktakuzë kundër Zhan Mitrevit, si person fizik dhe aktakuzë kundër spitalit të tij, si subjekt juridik, për vepër penale të vazhdueshme “mashtrim” nga neni 247 i Kodit Penal. Për këtë vepër penale është paraparë dënim me burg deri në 10 vite.
Siç u theksua atëherë në PTHP Shkup, nuk bëhet fjalë për “mashtrim të pacientëve”, gjegjësisht ndërgjegjshmëria dhe pandërgjegjshmëria e trajtimit nuk është objekt i kësaj vepre penale, por mashtrim klasik, përkatësisht fshehje e fakteve kyçe në lidhje me hemofiltrimin, metodë për të cilën pacientët nuk ishin të informuar qartë për të gjitha efektet pozitive dhe negative të tij, me të cilën ata u mashtruan, ndërsa me qëllim të përfitimit të paligjshëm të dobisë pasurore. Gjatë procedurës, siç informojnë nga PTHP Shkup, prokurori publik ka ofruar prova për të mbështetur dyshimet e bazuara se i pandehuri, në periudhën nga qershori 2020 deri në qershor 2022, me qëllim të përfitimit të një dobie të konsiderueshme pasurore kundërligjore për Personin juridik – institucion shëndetësor privat, duke fshehur fakte, ka mashtruar pacientët e dëmtuar të trajtuar në spital për kovid-19, të cilët i janë nënshtruar hemofiltrimit dhe familjarëve të tyre, duke i bërë që secili të dëmtojë pasurinë e tyre në shuma të ndryshme, ndërsa në gjithsej 97.461.600 denarë ose 1,57 milionë euro. I pandehuri prezantoi para pacientëve dhe opinionit se metoda e hemofiltrimit është e miratuar për përdorim dhe është efektive për trajtimin e kovid-19, duke shfrytëzuar mundësitë e krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia.
Ai i referohej një dokumenti të lëshuar nga Drejtoria Amerikane e Ushqimit dhe Barnave në prill të vitit 2020, me të cilin kompanisë “Bakster” i është lëshuar autorizimi për përdorimin urgjent të pajisjes setit Oksiris (Oxiris Set Device), si pajisje mjekësore me të cilën kryhet procedura për hemofiltrim te pacientët me koronavirus të moshës 18 vjeç e lartë, të cilët janë në kujdes intensiv me insuficiencë të konfirmuar ose urgjente të frymëmarrjes dhe nevojë për pastrim gjaku. Gjithashtu, përveç përfitimit të mundshëm, trajtimi kishte edhe rreziqe serioze të mundshme për të cilat pacienti duhej të ishte i vetëdijshëm, kështu që produkti nuk mund të paraqitej si i sigurt ose efektiv në trajtimin ose parandalimin e kovid-19, thuhet në kumtesën e PTHP Shkup.
Në këtë mënyrë, i pandehuri ka krijuar një përshtypje të rreme dhe mashtrim tek secili prej të dëmtuarve, kështu që shumica prej tyre, gjatë pranimit të një pacienti të caktuar në spital, paguanin paraprakisht dy cikle hemofiltrimi si pjesë e paketave spitalore, pa ju shpjeguar kjo metodë dhe rreziqet e mundshme të saj dhe pa marrë pëlqimin e duhur për zbatimin e një procedure të tillë ndaj pacientëve, gjë që bie ndesh me kushtet e përcaktuara në autorizim dhe në rregulloret dhe standardet shëndetësore, thuhet në njoftimin e PTHP Shkup.
Zhan Mitrev siguron se është i pafajshëm dhe pretendon se asnjë pacientë nuk është mashtruar.
Procedura u ngrit pas zërave, kur IRL publikoi një storje vitin e kaluar në të cilin zbulohej se spitali privat “Zhan Mitrev” u kërkonte pacientëve shuma të larta të parave për hemofiltrim gjatë mjekimit nga kovid-19.