Stuhia e dëborës me emrin “Barbara” që prej të shtunës përfshiu Greqinë, me erë të fortë dhe borë ka krijuar probleme në disa pjesë të vendit përfshirë edhe Athinën.
Sipas mediave greke, me vendim të autoriteteve kompetente sot në Athinë janë mbyllur kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme, administrata publike punon nga shtëpia, dyqanet në pjesën veriore të qytetit janë mbyllur, ndërsa përmes numrit 112 për në raste urgjente është dërguar rekomandim deri te qytetarët që të kufizojnë lëvizjet.
Probleme ka pasur edhe në autostradën drejt Selanikut e cila disa herë është mbyllur dhe rihapur, ndërsa për shkak të erës së fortë është ndaluar lundrimi nga të gjitha portet e Athinës.